Ligjore
Kushtet e Përdorimit.
Çka premtojmë ne, çka pritet nga ju, çka kërkojnë Meta dhe ligji, dhe si ndahemi pa telefonata për "t'ju mbajtur".
- Abonimi tërhiqet automatikisht çdo muaj nga mënyra e pagesës që autorizoni. Pas çdo tërheqjeje ju vjen fatura me email.
- Nuk ju dërgojmë njoftime para tërheqjes — vetëm faturën pas saj. Njoftimet paralajmëruese nisin veçse nëse e anuloni abonimin.
- Kalendari, vitrina dhe rezervimet janë falas pa afat. Inbox-i, AI-ja dhe kanalet provohen falas 7 ditë, pa kartelë; nga dita e katërt ju njoftojmë me email dhe në panel shfaqet numërimi deri në mbarim.
- Meta mund t'ju faturojë veçmas për mesazhet e nisura nga biznesi. Ajo faturë nuk vjen nga ne.
- Çdo plan ka kuotë mesazhesh për muaj. Kur mbushet, mesazhet dalëse ndalen deri më 1 të muajit tjetër — rezervimet vazhdojnë.
- Ju jeni kontrolluesi i të dhënave të pacientëve; pëlqimet dhe ligjshmëria ju takojnë.
- Shërbimin e rezervuar e ofron biznesi, jo nxan.io. Ne ofrojmë teknologjinë e rezervimit dhe nuk japim trajtim apo këshillë profesionale.
- Meta ka kufij që nuk i vendosim ne. Ajo cakton sa biseda të reja mund të nisni dhe mund t'i ndryshojë ato kufij; jashtë dritares 24-orëshe mesazhi lejohet vetëm si njoftim termini.
- Rezervimi vlen kur del kodi i konfirmimit. Nëse një kujtesë nuk mbërrin — sepse kanali e bllokon — termini mbetet i vlefshëm gjithsesi.
- Llogaria hapet vetëm pas konfirmimit të emailit. Derisa të klikoni linkun, paneli nuk hapet.
- Klientët mund të anulojnë ose riprogramojnë me kodin konfidencial të rezervimit, deri 2 orë para terminit ose 48 orë para hyrjes në një qëndrim.
- Sistemi nuk jep këshillë mjekësore dhe rregullat e Meta-s e ndalojnë këtë shprehimisht.
- Përgjegjësia jonë kufizohet me shumën e paguar në 12 muajt e fundit.
- Anuloni kurdo nga paneli, pa gjobë dhe pa afat kontrate.
- Palët, pranimi dhe dokumentet
- Përshkrimi i shërbimit
- Rezervimet nga klientët dhe marrëdhënia me biznesin
- Llogaria dhe stafi
- Planet, prova dhe faturimi
- Anulimi dhe rimbursimi
- Përgjegjësitë tuaja si kontrollues
- Kanalet e palëve të treta dhe rregullat e tyre
- Inteligjenca artificiale: kufizime dhe rregulla
- Përdorimi i papranueshëm
- Disponueshmëria, mbështetja dhe ndryshimet
- Të dhënat, eksporti dhe konfidencialiteti
- Pronësia intelektuale dhe reagimet
- Mohimi i garancive
- Kufizimi i përgjegjësisë
- Dëmshpërblimi
- Ndërprerja
- Forca madhore
- Ligji, juridiksioni dhe dispozita përfundimtare
1. Palët, pranimi dhe dokumentet
Këto kushte janë marrëveshje detyruese mes Aventuristi L.L.C. ("ne", "nxan.io") dhe: (a) biznesit që hap llogari ("Biznesi Abonues"); ose (b) personit që përdor faqen apo mjetin publik të rezervimit ("Klienti"). Kur një dispozitë vlen vetëm për njërën palë, kjo thuhet shprehimisht.
- Adresa e regjistruar: Rr. Zeqir Rashica nr. 8, Vushtrri, Republika e Kosovës
- Numri unik identifikues (NUI): 812430445
- Kontakti: kontakt@nxan.io
Duke hapur llogari, duke konfirmuar një rezervim ose duke përdorur shërbimin, i pranoni këto kushte. Kontrata elektronike ruhet në mënyrë që të mund të identifikohet versioni i pranuar. Nëse regjistroheni në emër të një biznesi, deklaroni se jeni të paktën 18 vjeç dhe keni autoritetin ta detyroni atë.
Dokumentet që formojnë marrëveshjen
Së bashku me këto kushte zbatohen edhe: Politika e Privatësisë, Marrëveshja për Përpunimin e të Dhënave dhe udhëzimet për fshirjen e të dhënave. Në rast kundërthënieje për çështje të mbrojtjes së të dhënave, mbizotëron Marrëveshja për Përpunimin.
Deri tani secili nga këta dokumente kishte numërimin e vet dhe ndryshonte veçmas, çka e bënte të pamundur të thuhej me një fjalë të vetme se cilat kushte keni pranuar. Nga versioni 1.1 të katërt mbajnë të njëjtin numër dhe të njëjtën datë hyrjeje në fuqi: kur njëri ndryshon, numri i të gjithëve rritet bashkë.
Abonimi SaaS u ofrohet vetëm bizneseve për qëllime profesionale. Megjithatë, Klientët që rezervojnë si persona fizikë mund të jenë konsumatorë. Asnjë dispozitë e këtyre kushteve nuk kufizon të drejtat e detyrueshme të konsumatorit sipas ligjit të zbatueshëm.
2. Përshkrimi i shërbimit
nxan.io lidhet me kanalet tuaja të mesazheve — Messenger, Instagram dhe Viber — dhe u përgjigjet klientëve automatikisht: cakton termine, dërgon kujtesa, trajton anulime dhe mban një kalendar që e shihni nga paneli.
Ofrohet si softuer në renë kompjuterike. Nuk instalohet asgjë në pajisjet tuaja dhe nuk ju jepet kopje e softuerit.
Veçoritë mund të shtohen, ndryshohen ose hiqen. Për heqjen e një veçorie thelbësore njoftojmë të paktën 30 ditë përpara.
Vitrina publike (opsionale)
Përveç faqes suaj të rezervimit, mund të zgjidhni ta shfaqni biznesin edhe në vitrinën publike të nxan.io — një listë ku njerëzit kërkojnë sipas qytetit dhe llojit të shërbimit dhe kalojnë drejt te rezervimi. Kjo është vullnetare dhe e fikur në fillim: biznesi nuk shfaqet aty derisa ta ndizni vetë nga paneli, dhe mund ta hiqni po aq lehtë.
- Ju vendosni çfarë shfaqet: përshkrimin, foton e ballinës, deri në 8 foto dhe nëse çmimet duken apo jo.
- Fotot i jepni si linqe nga vendi ku i keni tashmë; përgjigjeni që keni të drejtën t'i përdorni ato dhe se përmbajtja nuk shkel të drejta të palëve të treta.
- Çmimet e shfaqura janë informative dhe nuk përbëjnë ofertë detyruese; çmimi përfundimtar përcaktohet nga biznesi sipas nenit 3.
- Mund ta heqim një biznes nga vitrina, pa e prekur llogarinë, nëse përmbajtja shkel këto kushte ose politikat e platformave.
3. Rezervimet nga klientët dhe marrëdhënia me biznesin
nxan.io ofron mjetin teknik me të cilin Klienti i dërgon kërkesën për rezervim Biznesit Abonues. Kontrata për shërbimin profesional lidhet drejtpërdrejt mes Klientit dhe Biznesit Abonues. nxan.io nuk është klinikë, ordinancë, sallon apo ofrues i atij shërbimi; nuk përcakton trajtimin, cilësinë, çmimin përfundimtar ose përshtatshmërinë profesionale të tij.
Konfirmimi elektronik tregon biznesin, shërbimin, datën, orën dhe kodin e rezervimit. Klienti duhet t'i kontrollojë këto të dhëna dhe ta njoftojë biznesin pa vonesë për ndonjë gabim. Disponueshmëria përfundimtare dhe përmbushja e terminit janë përgjegjësi e biznesit.
- Kodi i konfirmimit është konfidencial dhe vepron si kredencial për të parë, anuluar ose riprogramuar rezervimin.
- Anulimi ose riprogramimi nga platforma lejohet deri 2 orë para fillimit të një termini, ose deri 48 orë para hyrjes për një qëndrim. Afati i tregohet Klientit para konfirmimit. Pas tij Klienti duhet ta kontaktojë biznesin drejtpërdrejt.
- Platforma aktualisht nuk e debiton Klientin për rezervimin. Pagesa për shërbimin dhe çdo politikë e ligjshme për depozitë, anulim apo mosparaqitje vendosen dhe zbatohen nga biznesi, vetëm nëse i janë treguar Klientit qartë para konfirmimit.
- Ankesat për trajtimin, cilësinë, çmimin ose rimbursimin e shërbimit profesional i drejtohen biznesit. Ankesat për funksionimin e platformës i dërgohen nxan.io.
Kur një rezervim quhet i konfirmuar
Rezervimi është i konfirmuar vetëm kur Klienti merr konfirmimin me kodin e rezervimit. Një kërkesë e shkruar në bisedë, pa këtë konfirmim, nuk e zë terminin dhe nuk e detyron biznesin.
Konfirmimin dhe kujtesat i dërgojmë në kanalin nga i cili erdhi rezervimi dhe, kur e kemi adresën, edhe me email. Dorëzimi varet nga Messenger, Instagram, Viber ose ofruesi i emailit dhe nga rregullat e tyre të përshkruara në nenin 8: mesazhi mund të vonohet, të bllokohet ose të mos mbërrijë fare.
- Kur kanali nuk e lejon dërgimin — sepse dritarja 24-orëshe ka mbaruar ose kuota mujore është mbushur — provojmë emailin si rrugë dytësore. Nëse Klienti nuk ka lënë email, kujtesa nuk dërgohet.
- Mosmbërritja e një kujtese nuk e anulon terminin dhe nuk krijon të drejtë rimbursimi ndaj nxan.io. Termini mbetet i vlefshëm ashtu siç u konfirmua.
- Rezervimi shfaqet gjithsesi në panelin e biznesit, edhe kur asnjë kujtesë nuk arrin të dërgohet.
Mosha minimale
Rezervimi përmes platformës nuk është menduar për persona nën 16 vjeç, ose nën moshën më të lartë që kërkon ligji i vendit të Klientit për përdorimin e shërbimeve të shoqërisë së informacionit. Një i mitur nën këtë moshë mund të rezervojë vetëm përmes prindit ose kujdestarit ligjor. Nëse mësojmë se një llogari ose rezervim i përket një personi nën moshën e lejuar, e pezullojmë atë dhe i fshijmë të dhënat sipas Politikës së Privatësisë. Për hapjen e një llogarie biznesi vlen mosha 18 vjeç sipas nenit 1.
Kur Klienti është konsumator, informacioni para-kontraktor, praktikat e drejta tregtare, e drejta për ankesë dhe çdo e drejtë tjetër e detyrueshme sipas Ligjit Nr. 06/L-034 mbeten të paprekura. Përjashtimet ligjore nga e drejta e tërheqjes për shërbime të lidhura me një datë ose periudhë të caktuar vlerësohen nga biznesi sipas natyrës së shërbimit; këto kushte nuk e heqin automatikisht atë të drejtë.
4. Llogaria dhe stafi
- Të dhënat e regjistrimit duhet të jenë të sakta dhe të përditësuara.
- Fjalëkalimi duhet të ketë të paktën 8 karaktere dhe ta mbani të fshehtë.
- Përgjigjeni për çdo veprim nën llogarinë tuaj, përfshirë atë të stafit që ftoni.
- Qasjen e një punonjësi që largohet duhet ta hiqni menjëherë nga paneli.
- Nëse dyshoni për qasje të paautorizuar, na njoftoni pa vonesë.
Një llogari i përket një biznesi. Ndarja e kredencialeve mes bizneseve të ndryshme nuk lejohet.
Konfirmimi i adresës së emailit
Pas regjistrimit ju dërgojmë një link konfirmimi. Derisa ta hapni atë link, llogaria mbetet e pakonfirmuar dhe hyrja në panel nuk lejohet. Linku ka afat; nëse skadon ose nuk ju vjen, e rikërkoni nga faqja e hyrjes me "Ridërgo konfirmimin". Për të mbrojtur shërbimin e emailit, rikërkesat janë të kufizuara në numër brenda një ore.
Konfirmimi shërben njëkohësisht si provë se adresa ju përket, sepse po në atë adresë shkojnë faturat, njoftimet e sigurisë dhe rivendosja e fjalëkalimit. Nëse nuk e konfirmoni adresën, llogaria e papërdorur fshihet sipas afateve të Politikës së Privatësisë.
5. Planet, prova dhe faturimi
Prova falas
Prova zgjat 7 ditë dhe nuk kërkon kartelë krediti. Nëse e lidhni kanalin e parë të mesazheve gjatë provës, prova rinis 7 ditë nga ai çast — një herë, që koha e verifikimit te Meta-s të mos jua hajë provën. Në fund të provës inbox-i, përgjigjet me AI dhe kanalet e mesazheve ndalen, dhe nuk faturohet asgjë nëse nuk zgjidhni vetë një plan. Kalendari, rezervimet dhe vitrina vazhdojnë në planin falas. Një biznes ka të drejtë në një provë.
Që mbarimi i provës të mos ju zërë në befasi, nga dita e katërt e saj ju njoftojmë: email kur mbeten 4 ditë, kur mbeten 3 ditë, kur mbeten 2 ditë dhe ditën e fundit, dhe në panel shfaqet numërimi i kohës deri në mbarim. Nëse zgjidhni një plan më herët, njoftimet dhe numërimi ndalen menjëherë.
Planet me pagesë
- Falas — 0 €, pa afat: vitrina publike, kalendari dhe rezervimet në panel, deri në 2 punëtorë, email te ju për çdo rezervim, konfirmim dhe kujtesë me email te klienti. Inbox-i, AI-ja dhe kanalet e mesazheve vetëm gjatë provës ose në një plan me pagesë.
- Starter — 39.99 € në muaj, deri në 3.000 mesazhe dalëse, deri në 10 punëtorë, raport javor me AI, parandalim no-show dhe listë pritjeje
- Pro — 79.99 € në muaj, deri në 6.000 mesazhe dalëse, gjithçka e Starter, punëtorë dhe personel me llogari pa kufi, dhe verifikim si biznes
Çmimet janë në euro dhe nuk përfshijnë tatimet e zbatueshme, të cilat shtohen sipas legjislacionit dhe vendndodhjes suaj.
Faturimi vjetor
Të dy planet me pagesë mund t'i merrni edhe me faturim vjetor, me 25% ulje ndaj çmimit mujor:
- Starter vjetor — 359.88 € në vit, që i bie 29.99 € për muaj
- Pro vjetor — 719.88 € në vit, që i bie 59.99 € për muaj
Çmimi vjetor paguhet i plotë në fillim të vitit të abonimit dhe ju jep të njëjtat veçori si plani mujor përkatës. Kuota e mesazheve mbetet mujore: një plan vjetor nuk i bart mesazhet e papërdorura nga një muaj në tjetrin.
Kuota e mesazheve
Çdo plan përfshin një numër mesazhesh dalëse për muaj kalendarik në Messenger, Instagram dhe Viber. Emailet nuk numërohen. Kur kuota mbaron, mesazhet dalëse ndalen deri në fillim të muajit pasardhës ose deri sa të ngrini planin; rezervimet dhe kalendari vazhdojnë të punojnë normalisht. Ju njoftojmë me email në momentin që kuota mbushet.
Verifikimi si biznes
Verifikimi është vullnetar dhe i disponueshëm vetëm në planin Pro, sepse kërkon shqyrtim dokumentesh nga ana jonë. Për ta kërkuar duhet të dërgoni emrin ligjor, numrin e regjistrimit të biznesit dhe adresën e regjistruar. Shenja e verifikimit shfaqet në faqen tuaj publike të rezervimit vetëm pasi t'i kemi shqyrtuar këto të dhëna. Ne mund ta heqim verifikimin nëse të dhënat rezultojnë të pasakta ose nuk vlejnë më. Nëse kaloni nga Pro në një plan më të ulët, shenja hiqet nga faqja juaj publike kur ndryshimi hyn në fuqi.
Si kryhet pagesa
Pagesat i përpunon Paysera. Të dhënat e kartelës shkojnë drejtpërdrejt te Paysera dhe nuk kalojnë kurrë nëpër serverët tanë. Zbatohen edhe kushtet e Payseras për shërbimin e pagesave.
Tërheqja automatike
Abonimi rinovohet vetvetiu në ciklin që keni zgjedhur — mujor ose vjetor. Kur zgjidhni një plan me pagesë, pagesën e parë e kryeni ju dhe me atë veprim autorizoni tërheqjet e ardhshme: Paysera ruan një autorizim pagese për llogarinë tuaj dhe ne e përdorim vetëm për të arkëtuar çmimin e planit tuaj aktual, në ditën kur mbaron periudha e paguar, pa asnjë veprim tjetër nga ju.
- Shuma: çmimi i planit dhe i ciklit që keni aktiv në momentin e tërheqjes — 39.99 € ose 79.99 € për një muaj, 359.88 € ose 719.88 € për një vit, plus tatimet e zbatueshme.
- Frekuenca: një herë në muaj për faturimin mujor dhe një herë në vit për atë vjetor, në ditën kur nisi abonimi. Datën e saktë të tërheqjes së radhës e shihni gjithmonë në panel.
- Kohëzgjatja: pa afat — derisa ta anuloni ju ose ta ndërpresim ne sipas nenit 17.
- Revokimi: autorizimin e hiqni duke anuluar abonimin nga paneli, në çdo kohë dhe me një klik. Pas anulimit nuk kryhet asnjë tërheqje tjetër.
Nuk ju dërgojmë njoftim para tërheqjes. Derisa abonimi është aktiv dhe pagesa ecën normalisht, nuk merrni email paralajmërues dhe as njoftim në panel — merrni vetëm faturën pas çdo tërheqjeje, me shumën, planin dhe periudhën. Kjo është zgjedhje e qëllimshme: e dini çmimin, e dini ditën, dhe nuk ju mbushim postën me kujtesa.
Nëse tërheqja dështon (fonde të pamjaftueshme, kartelë e skaduar, autorizim i revokuar nga banka), ju njoftojmë menjëherë me email dhe në panel, dhe provojmë sërish brenda ditëve në vijim. Nëse pagesa nuk kryhet deri në fund të periudhës, llogaria kalon në planin falas: mesazhet automatike, inbox-i dhe kanalet ndalen, ndërsa kalendari, rezervimet dhe të dhënat tuaja mbeten të qasshme dhe të eksportueshme.
Herë pas here mund t'ju shtojmë ditë falas në periudhën e paguar. Ato nuk kushtojnë asgjë, nuk e ndryshojnë çmimin dhe vetëm e shtyjnë tërheqjen pasardhëse me po aq ditë; data e re shfaqet menjëherë në panel.
Një nga këto është e sigurt: pasi të përfundojë muaji i parë i paguar, ditën pasardhëse ju njoftojmë në panel se periudha mbaroi dhe se keni tri ditë falas. Jepen një herë për llogari dhe vetëm nëse abonimi nuk është anuluar.
Ndryshimi i planit dhe i çmimit
Ngritja e planit brenda të njëjtit cikël hyn në fuqi menjëherë dhe paguani vetëm diferencën për ditët e mbetura. Ulja hyn në fuqi në ciklin pasardhës.
Kalimi nga mujor në vjetor hyn në fuqi menjëherë: paguani çmimin e plotë vjetor dhe ai i shtohet periudhës që keni paguar tashmë — muaji i nisur nuk humbet dhe data e re e mbarimit shfaqet menjëherë në panel. Kthimi nga vjetor në mujor planifikohet për fundin e vitit të paguar: deri atëherë e mbani planin vjetor pa ndryshim dhe viti i nisur nuk rimbursohet.
Çmimet mund të ndryshojnë. Për rritje njoftojmë të paktën 30 ditë përpara dhe ajo zbatohet vetëm nga periudha pasardhëse; nëse nuk pajtoheni, anuloni pa asnjë kosto para se të hyjë në fuqi.
Faturat
Pas çdo pagese fatura me të dhënat e biznesit tuaj dërgohet me email dhe mbetet e disponueshme në panel.
Kontrollojeni faturën kur ju vjen. Nëse diçka nuk përputhet — shuma, plani, të dhënat e biznesit — na shkruani sa më shpejt dhe e korrigjojmë.
6. Anulimi dhe rimbursimi i abonimit
Anuloni kurdo nga paneli, me një klik. Pa kontratë me afat, pa gjobë dalëse dhe pa telefonata bindëse. Anulimi e revokon menjëherë autorizimin për tërheqje: asnjë shumë nuk arkëtohet më.
Shërbimi vazhdon deri në fund të periudhës së paguar. Periudhat e nisura nuk rimbursohen.
Çfarë ju dërgojmë pas anulimit
Vetëm pasi ta anuloni abonimin nisin njoftimet, që të mos ju zërë në befasi ndalja e shërbimit:
- 5 ditë para ndaljes — email.
- 3 ditë para ndaljes — email, dhe në panel shfaqet njoftimi anash me numërimin e kohës deri në ndalje.
- Ditën e fundit — email dhe njoftim në panel.
Nëse e riaktivizoni abonimin para se të mbarojë periudha, njoftimet dhe numërimi ndalen, tërheqja automatike vazhdon si më parë dhe nuk humbni asgjë.
Përjashtim: nëse shërbimi ka qenë i padisponueshëm për faj tonë për një kohë të konsiderueshme brenda periudhës, jepet kredit proporcional në faturën pasardhëse. Kërkesa bëhet brenda 30 ditësh nga ngjarja.
7. Përgjegjësitë e Biznesit Abonues
Ju jeni kontrolluesi i të dhënave të klientëve tuaj dhe ne jemi përpunuesi. Prandaj ju takon të:
- Keni bazë ligjore për përpunimin, përfshirë përjashtimin e Nenit 9(2) kur të dhënat zbulojnë gjendje shëndetësore.
- Informoni klientët tuaj, sipas Nenit 13, se komunikimi menaxhohet me ndihmën e një sistemi të automatizuar dhe se ne veprojmë si përpunues.
- Merrni opt-in të vlefshëm para se t'u dërgoni mesazhe: veprim aktiv nga personi, identifikim i qartë i biznesit tuaj, dhe njoftim se mesazhet do të vijnë përmes kanalit përkatës. Ky është kusht i Meta-s, jo vetëm i ligjit.
- Respektoni kërkesat e klientëve për të mos u kontaktuar më.
- Mbani të sakta oraret, shërbimet dhe disponueshmërinë e stafit në panel.
- Shfaqni para rezervimit identitetin, adresën, kontaktin, përshkrimin e shërbimit, çmimin ose mënyrën e llogaritjes, si dhe çdo kusht anulimi, depozite apo mosparaqitjeje që synoni ta zbatoni ndaj Klientit.
- Mos vendosni në shënime diagnoza, rezultate laboratorike ose hollësi klinike që nuk janë të domosdoshme për administrimin e terminit.
- Kryeni vlerësimin e ndikimit sipas Nenit 35 kur shkalla e përpunimit e kërkon.
Kushtet e përpunimit rregullohen nga Marrëveshja për Përpunimin e të Dhënave, e cila zbatohet automatikisht kur përdorni shërbimin.
8. Kanalet e palëve të treta dhe komunikimet
Lidhja me Messenger dhe Instagram bëhet përmes Meta-s dhe i nënshtrohet kushteve, miratimeve dhe politikave të saj. Kanali Viber i nënshtrohet kushteve të Rakuten Viber.
- Nuk kontrollojmë nëse Meta e miraton, e kufizon ose e pezullon një llogari, dhe nuk përgjigjemi për vendimet e saj.
- Ndryshimet e politikave të tyre mund të kufizojnë veçori pa paralajmërim nga ana jonë.
- Ju duhet të pajtoheni veçmas me kushtet e atyre platformave.
Konfirmimet, njoftimet e sigurisë, ndryshimet e terminit dhe kujtesat janë komunikime shërbyese. Marketingu i drejtpërdrejtë kërkon bazë të veçantë ligjore dhe një mënyrë të thjeshtë kundërshtimi ose çregjistrimi; pranimi i këtyre kushteve nuk përbën pëlqim për marketing.
Kostot e Meta-s. Meta mund t'ju faturojë veçmas për mesazhet e nisura nga biznesi, sipas listës së saj të çmimeve. Përgjigjet ndaj një klienti brenda dritares 24-orëshe zakonisht nuk kanë kosto shtesë. Kjo faturë vjen nga Meta, jo nga ne, dhe nuk përfshihet në planin tuaj.
Kufijtë e dërgimit
Messenger dhe Instagram nuk funksionojnë si SMS. Meta lejon tekst të lirë vetëm brenda dritares 24-orëshe: pasi klienti ju shkruan, keni 24 orë t'i përgjigjeni me çfarë të doni. Jashtë asaj dritareje mesazhi lejohet vetëm si njoftim për një termin të konfirmuar, dhe në Instagram bisedën mund ta rihapë vetëm klienti. Prandaj konfirmimet dhe kujtesat tona kanë tekst të fiksuar dhe nuk mund t'i rishkruani lirshëm.
- Verifikimi i biznesit te Meta është proces i Meta-s dhe kryhet nga ju, me dokumentet e biznesit tuaj. Është i ndarë nga verifikimi ynë sipas nenit 5. Ne nuk mund ta shpejtojmë, ta zëvendësojmë dhe as ta garantojmë rezultatin.
- Pa miratimet që kërkon Meta, llogaria mund t'i nënshtrohet kufijve të dërgimit të caktuar prej saj. Këta kufij përcaktohen dhe ndryshohen nga Meta sipas politikave, historikut dhe konfigurimit të llogarisë.
- Përgjigjet brenda dritares 24-orëshe nuk numërohen në atë kufi. Kufizohet vetëm nisja e bisedave të reja nga ju.
- Meta mund ta rrisë ose ta ulë kufirin e dërgimit sipas kritereve dhe politikave të veta. nxan.io nuk garanton asnjë kufi të caktuar dhe nuk mund ta kërkojë, ta përshpejtojë apo ta parashikojë ndryshimin e tij.
- Meta e ul kufirin, e pezullon ose e bllokon llogarinë nëse klientët i raportojnë ose i bllokojnë mesazhet tuaja. Cilësia e listës dhe vlefshmëria e opt-in-it janë përgjegjësi e juaja sipas nenit 7.
Kufiri i Meta-s është krejt i ndarë nga kuota e planit tuaj sipas nenit 5: mund ta godisni njërin pa e mbushur tjetrin. Kur një kufi i Meta-s e ndal dërgimin, ju njoftojmë me email, dhe aty ku është e mundur mesazhi kalon në rrugën dytësore sipas nenit 3.
Këto kufizime nuk i vendosim ne dhe nuk përbëjnë mospërmbushje të shërbimit nga ana jonë. Plani juaj mbetet i faturueshëm edhe kur Meta e kufizon ose e pezullon llogarinë tuaj, sepse paneli, kalendari, rezervimet dhe kanalet e tjera vazhdojnë të punojnë.
9. Inteligjenca artificiale: transparenca dhe kufizimet
Kur një person komunikon me asistentin automatik, duhet të informohet qartë se po ndërvepron me një sistem AI. Këtë detyrim e përmbush sistemi vetë, jo ju: njoftimi shtohet automatikisht në përgjigjen e parë të çdo bisede të re dhe nuk mund të çaktivizohet nga paneli. Përgjigjet gjenerohen automatikisht dhe mund të gabojnë ose të keqkuptojnë një kërkesë.
Baza e këtij detyrimi është Neni 50 i Rregullores (BE) 2024/1689 (Akti për Inteligjencën Artificiale), i zbatueshëm nga 2 gushti 2026 për sistemet që ndërveprojnë drejtpërdrejt me persona, si dhe politikat e Meta-s. Ju pajtoheni të mos e fshihni, hiqni apo kontradiktoni këtë njoftim me tekste të tjera që i konfiguroni sistemit.
Kufizime funksionale
- Shërbimi nuk jep dhe nuk zëvendëson këshillë mjekësore. Është vegël për caktim terminesh dhe komunikim administrativ.
- Sistemi nuk jep diagnoza, nuk rekomandon trajtime dhe nuk këshillon për barna. Ky kufizim është edhe kërkesë e shprehur e politikave të Meta-s për asistentët e automatizuar.
- Stafi juaj mund të ndërhyjë në çdo bisedë dhe të marrë kontrollin kurdo.
- Nuk marrim vendime automatike që prodhojnë efekte juridike ose ndikim të ngjashëm të rëndësishëm mbi Klientin.
- Nuk garantojmë që çdo mesazh do të interpretohet saktë. Mbikëqyrja e komunikimit që del në emër të klinikës suaj mbetet e juaja.
Rregullat e Meta-s për teknologjitë e AI-së
Përdorimi i Messenger dhe Instagram përmes nxan.io i nënshtrohet kushteve dhe politikave të Meta-s, të cilat Meta mund t'i ndryshojë në çdo kohë. Ndër to janë edhe kufizime për ofruesit e teknologjive të AI-së kur ajo teknologji është funksionaliteti parësor që u ofrohet përdoruesve.
nxan.io nuk bie në këtë kategori: funksionaliteti parësor është menaxhimi i termineve për një veprimtari konkrete, dhe AI-ja është mjeti me të cilin kryhet, jo produkti që shpërndahet. Ju pajtoheni të mos e përdorni shërbimin si kanal shpërndarjeje për një asistent me qëllim të përgjithshëm, sepse kjo do të shkelte kushtet e Meta-s dhe do të rrezikonte pezullimin e llogarisë suaj dhe të platformës.
Të dhënat dhe trajnimi i modeleve
nxan.io nuk i përdor të dhënat tuaja apo të klientëve tuaj për të trajnuar modele të vetat. Përpunimi nga ofruesit e jashtëm të AI-së bëhet sipas kushteve dhe konfigurimit që zbatohen për shërbimet API që përdorim; ofruesin konkret dhe kushtet përkatëse i gjeni te Marrëveshja për Përpunimin e të Dhënave.
10. Përdorimi i papranueshëm
Nuk lejohet ta përdorni shërbimin për të:
- Dërguar mesazhe të pakërkuara, spam ose përmbajtje mashtruese.
- Kontaktuar persona që nuk kanë dhënë opt-in ose që kanë kërkuar të mos kontaktohen.
- Shkelur ligjin, të drejtat e të tjerëve ose politikat e platformave të mesazheve.
- Tentuar qasje të paautorizuar në sistem ose në të dhënat e klinikave të tjera.
- Kryer teste depërtimi, skanime ose ngarkesë të qëllimshme pa pëlqimin tonë me shkrim.
- Rishitur, ridhënë me qira ose ofruar shërbimin si të tuajin pa marrëveshje me shkrim.
- Ngarkuar përmbajtje me malware ose kod të dëmshëm.
- Përdorur shërbimin për veprimtari të ndaluara nga politikat tregtare të Meta-s.
Shkelja e rëndë ose e përsëritur sjell pezullim, me njoftim kur rrethanat e lejojnë.
11. Disponueshmëria, mbështetja dhe ndryshimet
Punojmë që shërbimi të jetë i disponueshëm pandërprerë, por nuk garantojmë disponueshmëri absolute. Ndërprerjet mund të vijnë nga mirëmbajtja, defektet ose ofruesit tanë.
Mirëmbajtjen e planifikuar e njoftojmë paraprakisht kur është e mundur dhe e kryejmë jashtë orarit të pikut kur mundemi.
Mbështetja jepet me email në shqip dhe anglisht, në ditë pune. Nuk ofrohet marrëveshje e garantuar e nivelit të shërbimit (SLA) përveç kur bihet dakord veçmas me shkrim.
Njoftimet
Njoftimet për llogarinë, faturimin, sigurinë dhe ndryshimet e këtyre kushteve i dërgojmë në adresën e emailit të regjistruar në llogarinë tuaj ose i shfaqim në panel, dhe konsiderohen të dorëzuara në momentin e dërgimit. Prandaj adresa duhet të jetë e vlefshme dhe e përditësuar — një njoftim që shkon te një email i braktisur mbetet i vlefshëm. Njoftimet për ne dërgohen në kontakt@nxan.io.
Mesazhet promocionale kërkojnë pëlqimin tuaj të veçantë dhe mund ta tërhiqni atë kurdo; njoftimet e mësipërme nuk janë marketing dhe nuk mund të çaktivizohen sa kohë keni llogari aktive.
Këto kushte mund të ndryshojnë. Për Bizneset Abonuese, ndryshimet thelbësore njoftohen me email të paktën 30 ditë përpara dhe nuk zbatohen prapa në kohë. Nëse nuk pajtoheni, mund ta anuloni abonimin para hyrjes së tyre në fuqi. Ndryshimet që prekin Klientët zbatohen vetëm për përdorimin ose rezervimet e bëra pasi versioni i ri është publikuar, përveç kur ligji kërkon ndryshe.
12. Të dhënat, eksporti dhe konfidencialiteti
Të dhënat mbeten tuajat. Nuk i shesim dhe nuk i përdorim për qëllime të tjera nga ofrimi i shërbimit.
Klientët dhe terminet i eksportoni nga paneli kurdo, në format të lexueshëm nga makina. Kur e fshini vetë llogarinë nga paneli, fshirja është e menjëhershme dhe e pakthyeshme — eksportoni më parë. Kur llogarinë e ndërpresim ne sipas nenit 17, keni 30 ditë për eksport para se të nisë fshirja.
Secila palë ruan konfidencialitetin e informacionit të palës tjetër që merret gjatë marrëdhënies dhe që nuk është publik, përveç kur zbulimi kërkohet me ligj.
13. Pronësia intelektuale dhe reagimet
Softueri, dizajni, emri dhe logoja e nxan.io janë pronë e Aventuristi L.L.C. Përdorimi i shërbimit nuk ju jep të drejta pronësie mbi to; ju jepet vetëm një licencë e kufizuar, e patransferueshme dhe e revokueshme për ta përdorur gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes.
Përmbajtja që ngarkoni mbetet e juaja. Na jepni vetëm licencën e kufizuar të nevojshme për ta ofruar shërbimin.
Nëse na dërgoni sugjerime ose ide për përmirësim, mund t'i përdorim lirshëm pa detyrim kompensimi ose konfidencialiteti.
14. Garancitë dhe standardi i shërbimit
Shërbimin e ofrojmë me kujdes dhe aftësi të arsyeshme profesionale. Përtej detyrimeve që nuk mund të përjashtohen me ligj, shërbimi ofrohet "siç është" dhe "siç është i disponueshëm", pa garanci se do t'i plotësojë çdo kërkesë të veçantë të Biznesit Abonues.
Nuk garantojmë se shërbimi do të jetë pa ndërprerje, pa gabime, ose se rezultatet e gjeneruara do të jenë gjithnjë të sakta.
15. Kufizimi i përgjegjësisë
Në masën e lejuar nga ligji:
- Nuk përgjigjemi për humbje fitimi, humbje klientësh, humbje të dhënash apo dëme të tërthorta dhe pasuese.
- Përgjegjësia jonë e përgjithshme për çdo pretencion nuk e kalon shumën që keni paguar në 12 muajt para ngjarjes që e shkaktoi.
- Nuk përgjigjemi për ndërprerje, vendime ose kosto që vijnë nga Meta, Viber, Paysera, Anthropic ose ofrues të tjerë të palëve të treta.
- Nuk përgjigjemi për pasojat e përmbajtjes që sistemi gjeneron kur ju nuk e keni mbikëqyrur komunikimin sipas nenit 8.
Asgjë këtu nuk përjashton përgjegjësinë që sipas ligjit nuk mund të përjashtohet, përfshirë atë për dashje, neglizhencë të rëndë, vdekje ose lëndim trupor.
Kufiri ndaj Biznesit Abonues nuk kufizon të drejtat e subjekteve të të dhënave, përgjegjësinë sipas rregullave detyruese të mbrojtjes së të dhënave, shkeljen e konfidencialitetit nga ne, ose të drejtat e detyrueshme të një Klienti konsumator.
16. Dëmshpërblimi
Ju pajtoheni të na mbroni dhe të na dëmshpërbleni për pretendimet e palëve të treta që rrjedhin nga: përmbajtja që dërgoni, mungesa e bazës ligjore ose e opt-in-it për të kontaktuar një person, shkelja nga ana juaj e këtyre kushteve ose e politikave të platformave të mesazheve.
Ky detyrim nuk zbatohet për pjesën e pretendimit që rrjedh nga shkelja jonë.
17. Ndërprerja
Ju mund ta mbyllni llogarinë kurdo. Ne mund ta pezullojmë ose ta mbyllim nëse:
- shkelni rëndë ose vazhdimisht këto kushte;
- pagesa mbetet e pakryer pas njoftimit;
- përdorimi rrezikon sigurinë e platformës ose të klinikave të tjera;
- na detyron ligji ose një platformë mbi të cilën varet shërbimi.
Përveç rasteve të abuzimit të qartë ose të urdhrit ligjor, njoftojmë paraprakisht dhe lëmë të paktën 30 ditë për eksportin e të dhënave.
Pas ndërprerjes mbeten në fuqi seksionet për konfidencialitetin, pronësinë intelektuale, kufizimin e përgjegjësisë, dëmshpërblimin dhe ligjin e zbatueshëm.
18. Forca madhore
Asnjëra palë nuk përgjigjet për mospërmbushje që rrjedh nga rrethana jashtë kontrollit të arsyeshëm: fatkeqësi natyrore, luftë, trazira, ndërprerje të gjata të energjisë ose të internetit, sulme kibernetike në shkallë të gjerë, ose vendime shtetërore. Detyrimi për të paguar shumat e maturuara nuk pezullohet.
19. Ligji, ankesat dhe dispozita përfundimtare
Zbatohet ligji i Republikës së Kosovës, pa zbatimin e rregullave të kolizionit.
Bizneset Abonuese përpiqen fillimisht ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje me bisedime brenda 30 ditësh. Nëse nuk arrihet marrëveshje, kompetente janë gjykatat e Prishtinës. Për Klientin konsumator, kjo zgjedhje nuk ia heq të drejtën për t'iu drejtuar autoritetit kompetent, mekanizmit jashtëgjyqësor ose gjykatës që i takon sipas dispozitave detyruese.
Ankesat për platformën pranohen në kontakt@nxan.io. E konfirmojmë pranimin dhe synojmë të përgjigjemi brenda 15 ditëve. Ankesat për të dhënat personale dërgohen në privatesia@nxan.io; e drejta për ankesë te Agjencia për Informim dhe Privatësi mbetet e paprekur.
- Ndashmëria. Nëse një dispozitë shpallet e pavlefshme, pjesa tjetër mbetet në fuqi dhe dispozita zëvendësohet me atë më të afërt të lejueshme.
- Heqja dorë. Mosushtrimi i një të drejte nuk përbën heqje dorë prej saj.
- Kalimi. Ju nuk mund t'i kaloni këto kushte pa pëlqimin tonë me shkrim; ne mund t'i kalojmë në rast bashkimi ose shitjeje të biznesit, duke ju njoftuar.
- Marrëveshja e plotë. Këto kushte dhe dokumentet e përmendura te neni 1 përbëjnë të gjithë marrëveshjen mes palëve.
- Gjuha. Teksti në gjuhën shqipe është ai që mbizotëron në rast përkthimi.
Pyetje? kontakt@nxan.io · Shihni edhe Politikën e Privatësisë, Marrëveshjen për Përpunimin e të Dhënave dhe Fshirjen e të dhënave.