Ligjore
Fshirja e të dhënave.
Si të kërkoni fshirjen, çka fshihet konkretisht, sa zgjat dhe si e ndiqni kërkesën tuaj. Falas, gjithnjë.
Ndiqe kërkesën tënde
Nëse ke marrë një kod konfirmimi, shkruaje këtu për të parë statusin.
Si të kërkoni fshirjen
Ka tri rrugë. Të gjitha janë falas dhe asnjëra nuk kërkon të arsyetoni kërkesën.
1. Nëse jeni klient i një klinike
Të dhënat tuaja — emri, numri, terminet dhe bisedat — i përkasin dosjes së klinikës që ju shërben. Klinika është kontrolluesi i tyre dhe ne vetëm i përpunojmë në emër të saj.
Prandaj kërkesa shkon më shpejt nëse i drejtohet drejtpërdrejt klinikës. Nëse ajo nuk përgjigjet, ose nuk dini si ta kontaktoni, shkruani te privatesia@nxan.io dhe ne e përcjellim, duke ju njoftuar për rrjedhën.
2. Nga cilësimet e Facebook-ut ose Instagram-it
Nëse na keni shkruar përmes Messenger-it ose Instagram-it, mund ta hiqni nxan.io nga Settings → Apps and Websites te llogaria juaj e Meta-s dhe të kërkoni fshirjen e të dhënave. Meta na e përcjell kërkesën automatikisht dhe ju kthehet një kod konfirmimi, të cilin e kontrolloni në formularin më lart.
3. Me email
Shkruani te privatesia@nxan.io nga adresa juaj, ose me numrin e telefonit me të cilin keni komunikuar me klinikën. Kërkesa regjistrohet dhe merrni një kod konfirmimi brenda 72 orësh.
Nuk ka pagesë. Fshirja e të dhënave është e drejtë ligjore sipas Nenit 17 të GDPR-së dhe Ligjit Nr. 06/L-082 të Republikës së Kosovës. Nuk ju kërkojmë tarifë dhe nuk ju kërkojmë të shpjegoni pse.
Çka fshihet konkretisht
Fshihen plotësisht:
- Emri, numri i telefonit, adresa e email-it dhe shënimet e ruajtura për ju.
- Përmbajtja e plotë e bisedave në Messenger, Instagram ose Viber.
- Identifikuesit e kanalit që ju lidhin me llogarinë tuaj te ai kanal.
- Statuset e dërgimit të mesazheve që lidhen me ju.
- Preferenca e kanalit dhe pëlqimi për komunikime.
Anonimizohet: rreshti i terminit te klinika.
Terminet janë regjistra kontabël të klinikës dhe ajo mund të ketë detyrim ligjor t'i ruajë. Prandaj termini nuk fshihet si rresht, por shkëputet nga ju: emri, numri, email-i dhe shënimet hiqen, dhe mbetet vetëm një zë pa asnjë të dhënë identifikuese — data, shërbimi, çmimi.
Sipas Konsideratës 26 të GDPR-së, të dhënat që nuk lidhen më me një person të identifikueshëm nuk janë të dhëna personale. Pra për ju rezultati është i njëjtë me fshirjen: askush nuk mund ta nxjerrë se cili termin ka qenë i juaji.
Veprimi është i pakthyeshëm. Nuk mbajmë kopje "të fjetura" pas afateve më poshtë.
Sa zgjat
- Brenda 72 orësh — kërkesa regjistrohet dhe merrni kodin e konfirmimit.
- Brenda 30 ditësh — fshirja kryhet. Ky është afati maksimal i Nenit 12(3) të GDPR-së.
- Deri në 90 ditë — kopjet rezervë të bazës së të dhënave rrotullohen dhe skadojnë. Gjatë kësaj periudhe të dhënat nuk janë të qasshme dhe nuk përpunohen për asnjë qëllim.
Kur nuk mund ta fshijmë gjithçka
Neni 17(3) i GDPR-së njeh disa përjashtime. Kur zbatohet njëri, ju themi shprehimisht cili dhe pse:
- Detyrime tatimore dhe kontabël. Faturat dhe të dhënat e pagesave ruhen deri në 6 vjet, sipas legjislacionit. Këto përmbajnë të dhëna të biznesit që paguan, jo përmbajtjen e bisedave.
- Pretendime ligjore. Nëse ka një mosmarrëveshje aktive, të dhënat përkatëse ruhen derisa ajo të mbyllet.
- Detyrime të klinikës. Legjislacioni shëndetësor mund ta detyrojë klinikën të ruajë dosje për një periudhë të caktuar. Ky vendim i takon klinikës si kontrollues, jo neve.
- Regjistri i vetë kërkesës. Ruajmë kodin, datën dhe rezultatin — pa përmbajtje — për të provuar se kërkesa u zbatua.
Nëse një kërkesë refuzohet plotësisht ose pjesërisht, arsyeja shfaqet në faqen e statusit dhe ju keni të drejtë të ankoheni te Agjencia për Informim dhe Privatësi e Republikës së Kosovës, ose te autoriteti mbikëqyrës i vendit tuaj në BE.
Pyetje? privatesia@nxan.io · Shihni edhe Politikën e Privatësisë dhe Kushtet e Përdorimit.